Serbët nga Kosova nuk janë në Dialogun e Brukselit, zëri i tyre nuk dëgjohet dhe nuk pyeten për asnjë gjë, sepse as Beogradi e as Prishtina sinqerisht nuk i duan ata në atë proces, u tha sot në debatin në Qendrën Mediale në Çagllavicë me temën „Zëri i serbëve të Kosovës në Dialogun e Brukselit .“ Gjithashtu u tha se serbët ka vite që shërbejnë vetëm si garantues në procesin e Brukselit, pra si dikush që në fund do të paguajë çmimin e vendimeve që merren.
Deputeti në Parlamentin e Serbisë, Pavle Grbović, ka thënë se serbët në Kosovë si për palën e Prishtinës ashtu edhe për atë të Beogradit kanë qenë objekt e jo subjekt i procesit negociator, kështu që atyre u është dedikuar roli i garantuesve të të gjitha marrëveshjeve, edhe pse ato janë arritur pa pjesëmarrjen e tyre.
„Pra, ata ishin kryesisht garantuesit e atij procesi, dikush që në fund do të paguaj çmimin për vendimet e marra diku larg dhe ai çmim kryesisht ka qenë i lartë dhe rrallëherë është, madje edhe kur Beogradi ka bërë ndonjë lëshim në favor të Prishtinës. Si këmbim u morën edhe disa lëshime, por këto lëshime nuk ishin në favor të serbëve të Kosovës, por në favor të atyre që i kanë zhvilluar ato negociata në emër të tyre, me më pak a më shumë legjitimitet,“ tha Pavle Grbović.
Ai gjithashtu ceku se serbët e Kosovës as Beogradi e as Prishtina nuk i duan sinqerisht në procesin e dialogut.
“Të dyja palët duan të kenë ca serbë, Albin Kurti dëshiron të ketë disa serbë që ai mendon se do të jenë të përshtatshëm dhe që do të jenë një lloj prove e jashtme e hapjes së tij. Nga ana tjetër, edhe Beogradi dëshiron të ketë serbë që janë pjesë e atij grupi etnik që do të mbështesin politikën e tyre. Por ajo që është e qartë është se asnjëra palë nuk dëshiron të ketë qytetarë të nacionalitetit serb – ata qytetarë që do të bëjnë pyetje, ata qytetarë që janë njerëz aktivë politikisht, të mendimit të lirë, të cilët ndoshta do mund të çrregullonin ose ndryshonin fokusin e diskutimeve të mëparshme,, tha Grbović.
Edhe gazetarja dhe redaktore e Radio Kim, Zorica Vorgučić, mendon se serbët e Kosovës as nuk kanë ndikim, as mundësi të marrin pjesë e as të marrin vendime kur bëhet fjalë për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.
„Sa i përket dialogut, të vetmin ndikim dhe të gjitha vendimet i merr një njeri, Aleksandar Vučić. Serbët nuk pyeten asgjë për këtë, edhe pse ndonjëherë duket se konsultohen, duke pasur parasysh se në Beograd kanë aty disa takime me presidentin e Serbisë. Ja një takim i tillë është sot në orën 13:00. Vučić gjithmonë thotë se konsultohet me serbët, por kjo në fakt tregon se kjo nuk është kështu. Serbët nuk pyeten për asnjë gjë në Kosovë,“ tha gazetarja dhe redaktorja e Radio Kim-it Zorica Vorgučić.
Lideri i Lëvizjes Kombëtare Serbe, Branimir Stojanović, përkujton se prej vitesh as përfaqësuesit e Listës Serbe nuk kanë qenë pjesë e delegacionit të Beogradit në dialog e lëre më se dikush që nuk është pjesë e kësaj partie politike. Megjithatë, ai vëren se serbët nga Kosova nuk mund të jenë as pjesë e delegacionit të Prishtinës në negociatat me Beogradin, sidomos, siç thekson ai, jo në këto kushte dhe atmosferë politike të cilën aktualisht e përfaqësojnë liderët e Kosovës.
„Së pari, të gjitha ato që i kërkojnë serbët, i lufton pala prishtinase, gjithçka që pala prishtinase tashmë duhet të përmbushë, që as nuk është negociuar dhe as nuk ekziston në Bruksel, pala prishtinase nuk do ta bëjë në gjendje të rregullt. Kështu që ajo pjesëmarrje do të ishte simbolike, për marketing, edhe sikur të ndodhte”, ceku Stojanović.
Kryetari i iniciativës qytetare “Për Zubin Potokun” Milija Biševac ka thënë se përveç asaj që serbët asnjëherë nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në negociata, ata madje, siç tha ai, gjatë gjithë këtyre viteve nuk ishin njoftuar asnjëherë në detaje me procesin e Brukselit. Ai shtoi se negociatat qysh nga fillimi janë udhëhequr nga njerëz që nuk jetojnë fare në Kosovë.
„Serbët në asnjë moment nuk kanë marrë pjesë apo kanë përkrahur gjithçka që është zbatuar në atë mënyrë. I vetmi zbatues është Lista Serbe, e cila i përdori ato 10 vite për pasurim jonormal, e udhëhequr ekskluzivisht nga interesat personale. Populli u detyrua të dëgjonte vetëm atë që ishte urdhëruar nga Beogradi. Sot serbët në veri, si të thuash, ende kanë problem me targat e regjistrimit, njësitë speciale janë ende aty, ka edhe shumë probleme të tjera, kurse e vetmja mënyrë se si mund të informohemi për këtë është të ndjekim atë që po ndodh në Bruksel përmes mediave, përmes televizionit,“ tha Milija Biševac dhe shtoi se gjatë procesit të Brukselit janë nënshkruar shumë marrëveshje në dëm të serbëve, dhe se kushdo që u përpoq ta kundërshtonte këtë, etiketohej dhe i thirrej emri publikisht nga Beogradi.”
Pavle Grbović shton edhe që presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić nuk bisedon me serbët e Kosovës për Marrëveshjen e Brukselit por vetëm i informon për të.
“Ju konsultoheni me dikë përpara se të bëni diçka, nëse bëni diçka dhe e thërrisni, atëherë ky nuk është konsultim, është raportim. Më pas e ftoni dikë të mbajë shënime për atë që keni bërë në rastin konkret,“ shtoi Grbović.
Pjesëmarrësit në debat pajtohen se hapi i parë në normalizimin e marrëdhënieve duhet të jetë ndryshimi i narrativës së përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës.
“Kemi vazhdimisht deklarata nxitëse nga të dyja palët. Nga Vučić dhe Petar Petković, deklaratat më të këqija të mundshme për Albin Kurtin. Nga ana tjetër, Kurti dhe Vjosa Osmani nuk reshtin së quajturi serbët popull gjenocidal, Serbinë një krijesë gjenocidale, Milloshevič-in nuk e lëshojnë nga goja, megjithëse ka vdekur shumë kohë më parë dhe ne gati se e kemi harruar e edhe duhet ta harrojmë. Serbët në veri të Kosovës i përgjithësojnë se të gjithë atje janë kriminelë – paj nuk janë të gjithë kriminelë,” tha Zorica Vorgučić.
“Në të vërtet nuk ekziston një vullnet i sinqertë dhe i mirë që të ndodhë normalizimi, gjithçka ende reduktohet në atë luftë të tërbuar për të krijuar një imazh në opinionin e tyre publik, se dikush ka dal fitues dhe se që në këtë të fitohen poena politik. Fatkeqësisht, njerëzit e zakonshëm paguajnë çmimin për këtë, zhdukja jonë nga kjo hapësirë është rezultat i gjithë kësaj,” ceku Stojanović.
„Deklaratat nxitëse si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd janë manipulim politik i tyre dhe blerje votash në atë mënyrë, zgjim i nacionalizmit. Kur njerëzit nuk kanë politikën e duhur, ata gjithmonë kapen pas nacionalizmit,“ ceku Biševac.
Në debatin „Zëri i serbëve të Kosovës në dialogun e Brukselit “I ftuar ishte edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakić, por ai nuk iu përgjigj ftesës. Debatin e organizoi nga Qendra Mediale e Çagllavicës me mbështetjen e UNMIK-ut.