Në emisionin e 427-të të Slobodno srpski ishte e ftuar Tatjana Manojlović, deputete në Kuvendin e Serbisë, nënkryetare e Partisë Demokratike dhe gazetare e Radio Televizionit të Serbisë. Në një intervistë me Budimir Ničić, ajo tha se është e zhgënjyer me punën e këshillit të Kuvendit të Serbisë, anëtare e së cilës është në lidhje me çështjen e Kosovës.
“Unë kam kërkuar nga shefi i grupit tim parlamentar kur hymë në Kuvend, i bëra lutje që unë të jem anëtare e këshillit parlamentar për Kosovë e Metohi dhe këshillit parlamentar për kulturë dhe informim, nuk e di ku jam më shumë e zhgënjyer. Nga ajo që kryetari i Komisionit Parlamentar për Kosovë dhe Metohi caktoi një seancë konstituive të këshillit dhe një tjetër kur ishte problemi me riregjistrimin e pas kësaj me insistimin e opozitës, kur ne kemi shkruar shkresën tre-katër herë ku të gjithë deputetët e opozitës janë nënshkruar në të… Dua të them se qëndrimi i tyre ndaj Kosovës dhe Metohisë është jashtëzakonisht hipokrit”, tha Manojlović.
Ajo konsideron se qeveria aktuale në Beograd po e përdor çështjen e Kosovës për të qëndruar në pushtet dhe se vetëm ata e dinë se çfarë përfitimi kanë prej kësaj.
“Në seancën e dytë që e patëm për Kosovën dhe Metohinë, e në të cilën mori pjesë Aleksandar Vučić, ai vetë foli për atë se sa para janë derdhur në këtë hapësirë gjatë dhjetë viteve të fundit. Këto janë shuma tejet të mëdha. Nëse gjithë ato para, pa llogaritur fondet evropiane dhe komunitetin ndërkombëtar, sa kanë dhënë, duke llogaritur vetëm ato që janë derdhur nga buxheti i Republikës së Serbisë, nëse ato para do të ishin shpenzuar si duhet këtu për të përmirësuar kushtet e jetesës së serbëve në Kosovë e Metohi ju do të kishit sot këtu standardin e një qytetari mesatar të Zvicrës. Kurse ju e dini se si jetohet këtu,” tha Manojlović.
Serbët në Kosovë jetojnë si në aparteid
Kjo gazetare e RTS-së, e cila ka dhjetë vjet që raporton herë pas here nga Kosova, pohon se serbët në Kosovë janë grupacioni më i privuar nga drejtat në Evropë.
“Serbët, serbët e Kosovës janë popullata më e cenueshme dhe njerëzit për të cilët mund të thuhet se jetojnë nën aparteid, të cilët janë si nën presionin e Kurtit ashtu edhe nën presion të Listës Serbe të Vučić-it. Dhe këtë mua si gazetare, sepse kam dhjetë vjet që vij këtu, raportoj, njërëzit, ata të cilët janë veçanërisht të guximshëm, ma kanë dëshmuar edhe para kamerës, e shumë kanë folur edhe kur i kemi fikur kamerat dhe na janë lutur që ato të mos i emitojmë,” pohon Tanja Manojlović, e cila tani është deputete e opozitës në parlamentin serb.
“Normalizimi” ka shkaktuar konfuzion
Duke vlerësuar planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe mënyrës se si po zbatohet ai, ajo thotë se kurrë nuk ka pasur konfuzion më të madh, dhe se zyrtarët e huaj po mundohen me çdo kusht ta rrumbullakësojnë problemin e Kosovës.
“Njerëzit janë plotësisht të trullosur nga gjithçka që po ndodh. Çfarë është ajo që po shoh unë? Kurti po angazhohet edhe për një shtet tjetër shqiptar në Kosovë e Metohi kurse Vučić-i po angazhohet për t’ia siguruar vetes pozitën e mbijetesës në pushtet. Por vetëm nuk po shoh që dikush po angazhohet për përmirësimin e kushteve të jetesës së serbëve në Kosovë dhe Metohi dhe për interesat e Serbisë. Këto janë tani dy vija paralele, dy binarë paralelë, të cilët kurrë nuk mund të kryqëzohen, nëse kjo mbetet kështu, nuk mund të gjendet një zgjidhje korrekte, e drejtë dhe askush as nuk po përpiqet që deri tek një zgjidhje e tillë të vijë,” tha Tatjana Manojlović e ftuar në emisionin Slobodno srpski.