Në emisionin e 430-të të Slobodno srpski i ftuar ishte ambasadori i Francës në Kosovë Olivier Guerot. Në një intervistë me Budimir Ničić, ai u bëri thirrje autoriteteve në Prishtinë që të qetësojnë tensionet në Kosovë dhe të depërshkallëzojnë situatën.
„Në këtë rast ka një përgjegjësi domethënëse të Qeverisë së Kosovës për ngjarjet dhe incidentet e fundit. Ne besojmë në zgjidhje pozitive, andaj ajo që presim nga Qeveria e Kosovës është që të marrë masa për depërshkallëzimin e situatës. Ne, në fakt, presim edhe nga Serbia që të marrë të gjitha masat e nevojshme për të shmangur dhunën, për të shmangur tensionin dhe gjithashtu për të depërshkallëzuar situatën,“ ka thënë ambasadori Guerot në një intervistë për emisionin „Slobodno srpski“.
Në këtë situatë, kryetarët e zgjedhur në veri të Kosovës nuk mund të veprojnë, siç thotë ai, sikur të ishin zgjedhur normalisht, kështu që duhen ndërmarrë disa hapa ashtu që të shmangen masat e panevojshme.
„Ne nuk mendojmë se kryetarët e komunave duhet të futen me forcë në ato ndërtesa, dhe nëse nuk mund të hyjnë me forcë, atëherë duhet të vazhdojnë të punojnë nga ambientet tjera, ashtu që të shmanget një “pikë vlimi” e panevojshme, një burim i panevojshëm tensioni. Ne e kemi thënë qartë këtë dhe mendoj se Qeveria e Kosovës e di shumë mirë se çfarë presim prej tyre,“ thotë Guerot.
Plani franko – gjerman mbetet
Incidentet e fundit në veri të Kosovës nuk e kërcënuan zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të konfirmuar në Ohër, i cili është i bazuar në planin franko-gjerman.
„ Ky plan është absolutisht ende i vlefshëm. Kjo është rruga që duhet ndjekur, kështu që nga ky moment do t’u bëj thirrje të gjitha palëve, Kosovës, Serbisë, që të vazhdojnë bisedimet, që të vazhdojnë punën për gjëra që duhen respektuar. Kur bëhet fjalë për Qeverinë e Kosovës, ka një përkushtim të qartë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kështu që ne presim që ata të punojnë konkretisht në këtë,“ tha ambasadori francez në Prishtinë dhe theksoi se do të ketë pasoja nëse nuk respektohet marrëveshja e Ohrit.
Guerot konfirmoi përkushtimin e Francës për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe pritjen që Prishtina të tregojë iniciativë në themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.
„Ne nuk duam që Kosova të jetë një shtet jofunksional, natyrisht që jo, sepse ne e shohim të ardhmen e Kosovës brenda Bashkimit Evropian, kështu që për këtë arsye, duan një Kosovë funksionale. Tani, mënyra më e mirë për Qeverinë e Kosovës për të shmangur diçka që do të ishte jofunksionale është të bëjë një propozim,“ tha ambasadori i Francës në Prishtinë, Olivier Guerot, i ftuar në emisionin „Slobodno srpski“, në produksionin e Qendrës Mediale Çagllavicë, e cila transmetohet në rrjetin televiziv në gjuhën serbe në Kosovë.