Menaxherja e programit të Iniciativës së Re Sociale, Milica Andrić Rakić, ishte e ftuara në emisionin e 422-të të Slobodno srpski.
Ajo në një intervistë me Budimir Ničić tha se me negociatorët aktualë nga Prishtina dhe Beogradi që po marrin pjesë në dialog, është pothuajse e pamundur të ndalet përshkallëzimi i “mosnormalizimit” në marrëdhëniet midis Prishtinës dhe Beogradit.
Normalizimi, midis tjerash, sipas mendimit të saj, do të duhej të përfshinte edhe si më poshtë:
“Do të ishte ideale nëse nuk do të kishte pengesa në import dhe eksport, nëse nuk do të kishte probleme sigurie siç ekzistojnë aktualisht ku gjysma e kapacitetit të njësive speciale është e vendosur në një territor shumë të vogël, një territor të banuar me popullatë shumicë serbe, e ato njësi speciale janë në fakt njëetnike dhe shqiptare. Pastaj të lehtësohet qasja e të rinjve serbë në tregun e punës në Kosovë. Kjo konkretisht do të thotë zgjidhja e çështjes së diplomave të Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicë dhe një sërë gjërash që do të mund të bëheshin, por para së gjithash zgjidhja e statusit të institucioneve serbe, gjegjësisht atyre shërbimeve që institucionet serbe u ofrojnë serbëve dhe komuniteteve tjera joshumicë. Fakti është se ato i rezistuan proceseve të llojllojshme politike për njëzet vjet, ato janë aty, janë të vetmet që ofrojnë shërbime në vazhdimësi dhe nuk mund të ketë sulm ndaj tyre, ndaj atyre institucioneve që ofrojnë shërbime bazë, e që nuk do të interpretoheshin nga komuniteti si sulm ndaj vetë atyre”; tha Andrić Rakić.
Mirëpo, sipas mendimit të saj, plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe marrëveshja e Ohrit, nuk janë rruga e duhur drejt normalizimit.
Plani evropian i larguar nga populli
“Kjo është marrëveshja “më e larguar” nga të gjitha marrëveshjet e Brukselit, ajo është “më e larguara” nga të gjitha problemet e qytetarëve, sepse nuk merret me jetën e serbëve të Kosovës, as me jetën në përgjithësi, as me bashkëjetesën në Kosovë. Ajo merret me marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës. Pra, ka kohë që fokusi ka kaluar nga qytetarët dhe nga ajo se si qytetarët e kombësisë serbe do të integrohen në shoqërinë kosovare dhe filloi të merret me marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës e marrja me marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës pa stabilizuar komunitetet serbe në Kosovë është thjesht e pakuptimtë. Ndoshta do t’i rregulloni marrëdhëniet e tyre në kuptimin se si do të përfaqësohet Kosova në nivel rajonal, a do të jetë yllëza aty apo jo, a do të kalohet me targa pa ngjitëse nëpër dy territoret, por përderisa keni problem me komunitetin serb në Kosovë dhe ligjshmërinë e institucioneve të përdorura nga ai komunitet, do të keni përshkallëzime dhe kriza potenciale,” konsideron Andrić Rakić.
Ajo thotë se serbëve të Kosovës as nuk i interesuan rrëfimet në opinion për planin evropian të normalizimit, sepse nuk i shohin problemet dhe nevojat e tyre në të. Me vetë këtë, fakti që Lista Serbe nuk merr pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës është një tjetër dëshmi se, siç thotë ajo, në të vërtetë në Ohër nuk është bërë asgjë thelbësore drejt normalizimit.
“Qytetarët nuk i interesonte ajo, sepse ata e shikojnë atë marrëveshje dhe nuk kanë përgjigje për gjërat kyçe e ajo është se si për shembull nesër do të shkojnë përmes Jarinjës për në Kopaonik dhe mbrapa, thjesht gjërat më elementare. Askush nuk merret me ta për një kohë të gjatë, më tepër se një vit, problem serioz janë njësitë speciale, prania e tyre e përhershme, sjellja e tyre. Kjo është gjithashtu një çështje që nuk është adresuar në asnjë mënyrë, dhe ajo që është edhe më e keqja, madje as përfaqësuesit politikë serbë, jo opozita, konkretisht tani e kam fjalën për Listën Serbe, deri dje nuk janë marrë seriozisht me këtë çështje,” tha ajo.
Sipas saj, nga ana tjetër, vendimi i Listës Serbe për të mos aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhje ishte një veprim i detyruar.
“Ky ishte veprimi i vetëm që iu kishte mbetur atyre, sepse Lista Serbe ka paraqitur rishtazi kërkesa që nuk janë plotësuar. Pra, as kërkesat pas daljes nga institucionet, as për largimin e barrikadave. Ata realisht nuk do të kishin fytyrë para qytetarëve nëse do të vendosnin të dilnin,” tha Milica Andrić Rakić dhe shtoi se secili ka të drejtë të vendosë se në cilin moment do të marrë pjesë në zgjedhje, por se është hipokrite që edhe opsionet e tjera politike të mos merren parasysh.