Slobodno srpski me Ana Kostić

Në emisionin e 423-të Slobodno srpski ishte e ftuar profesoresha e gjuhës dhe letërsisë serbe në gjimnazin e Prishtinës me seli në Laplasellë, Ana Kostić. Në një intervistë me Budimir Ničić, ajo tha se puna në arsim është një punë e bukur, por që kolegët e saj që punojnë në institucionet arsimore sipas sistemit serb në Kosovë shpesh kanë probleme të mëdha që vijnë edhe nga vetë prindërit. 

„Për fat të mirë, më duhet të them se tek unë nuk ka raste të tilla. Ka raste ekstreme, ka prindër që gënjejnë në dobi të fëmijëve të tyre, gjë që asesi nuk duhet ta bëjnë. Fëmija nuk shkon në shkollë dhe ata e dinë këtë shumë mirë, ne e dimë që fëmija ka ikur nga shkolla, por ata vijnë dhe e arsyetojnë atë orë. Unë me një rast desha ta testoj një prind. Një ditë isha e ulur në një kafene dhe pashë një nxënës, për të cilin nëna e tij më tha se ishte i sëmurë, që ishte ulur përballë meje dhe pinte kafe. E pyeta hapur gruan pse po e bënte këtë, ajo vetëm ngriti supet, nuk kishte përgjigje për këtë. Unë nuk e di se për çfarë arsye po bëhet kjo, nuk e di në dobi të kujt po shkon diçka e tillë,“ tha profesoresha Kostić.

Raste të tilla janë të rralla, por janë treguese. Problemi më i madh është mospërfillja e stafit mësimdhënës, por për këtë, sipas fjalëve të saj, fajin nuk e kanë vetëm prindërit, por sistemi, për shkak të cilit do të ketë pasoja negative më vonë.  

„Nëse bëhet fjalë për rritje rroge, ne marrim më pak se të tjerët ose vetëm kohë pas kohe si disa të tjerë. Shikoni, tani kjo do të bëhet problem. Pas pak kohe, nuk do të kenë profesor të matematikës. Ashtu siç qëndrojnë gjërat, nuk do të kenë as profesor të gjuhës e letërsisë serbe, e të mos e përmendim fizikën, kiminë, biologjinë. Gjithnjë e më pak fëmijë po regjistrohen në ato fakultete dhe kjo është pikërisht për këtë arsye,“ paralajmëron Kostić.

Një problem i veçantë për punëtorët arsimor, i cili është veçanërisht i theksuar gjatë pandemisë së koronavirusit, është përdorimi i celularëve nga ana e fëmijëve gjatë orëve të mësimit.  

„Tani problemi është lufta me prindërit dhe ligjvënësit për të ndaluar fëmijët të përdorin celularët gjatë orëve të mësimit. Gjatë pushimit mund t’i përdorin, por gjatë orës së mësimit nuk guxojnë t’i përdorin. Përndryshe është e dënueshme, shumë e dënueshme, por për të ndëshkuar fëmijën, procedura është aq e ndërlikuar sa është vërtet shumë e vështirë të bëhet një gjë e tillë,“ tha profesoresha Ana Kostić, e ftuara në Slobodno srpski.

Izvor :
Slobodno srpski