Situata në veri të Kosovës pas zgjedhjeve lokale – sfidat dhe zgjidhjet“

Bashkësia ndërkombëtare ka mekanizma serioz dhe efektiv për t’i bindur autoritetet e Kosovës që të pranojnë kërkesat e BE-së dhe SHBA-së lidhur me depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës, u konkludua në debatin “Situata në veri të Kosovës pas zgjedhjeve lokale – sfidat dhe zgjidhjet”, të organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është fajtor për situatën dhe krizën aktuale në veri të Kosovës, tha në debatin “Situata në veri të Kosovës pas zgjedhjeve lokale – sfidat dhe zgjidhjet” udhëheqësi i iniciativës civile “Narodna Pravda” Nenad Radosavljeviq. Ai shtoi se kryeministri i Kosovës Albin Kurti e ka ndihmuar mjaft Vuçiqin në ngritjen e tensioneve dhe krijimin e krizës.    

“Problemi u krijua nga regjimi i Beogradit, pra Aleksandar Vuçiq, i cili përmes strukturave të tij kriminale që udhëheqin Listën Serbe vendosi që serbët të mos shkojnë në zgjedhje dhe të mos dalin, gjë të cilën ata edhe e bënë ashtu siç shkuan dhe votuan me çdo kusht dhe vetëm për Listën Serbe, kështu që tani u detyruan të mos shkojnë në zgjedhje. Ky është fillimi i të gjitha problemeve. Natyrisht, në këtë problem u ndërlidh Kurti, i cili në mënyrë shumë të pamatur vendosi që kryetarët me çdo kusht të vendosen në kabinete,” tha Radosavljeviq.

Duke komentuar protestat para objekteve komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, Radosavljeviq tha se “populizmi në veri të Kosovës është bërë më i popullarizuar se sa realizmi.”

“Fillimisht aty po proteston struktura e qeverisë, e cila është fajtore dhe përgjegjëse për të gjitha, e cila tani kërkon me çdo kusht të rikthehet në karriget e veta dhe përfitimet e ndryshme që japin pozicionet e tyre me të cilat janë mësuar dhe ata janë nismëtarët dhe shkaku i të gjitha problemeve. Përveç tyre, ka edhe struktura të formuara nga ata që për interesin e tyre varin pankarta, ngjesin flamuj, ata nuk punojnë asgjë veçse marrin rroga dhe të cilët tani janë shumë të interesuar të sigurojnë që statusi i tyre të mos ndryshojë, pra që të mos mbeten pa rroga,” tha Radosavljeviq.

Dejan Nedeljkoviq, aktivist social dhe politik nga Zveçani, është i mendimit që kjo situatë nuk do të kishte ndodhur nëse në vitin 2015, kur u bë integrimi i institucioneve serbe në sistemin e Kosovës në veri, do të ndërtoheshin objekte të veçanta për të katër komunat e Kosovës.

“Në atë kohë, krerët e Listës Serbe nuk ishin edhe aq të interesuar për një gjë të tillë, sepse prisnin që gjithë jetën do të jenë në pushtet dhe që gjithë jetën do ta kalonin në të njëjtin objekt. Në fund të gjithë asaj që ndodhi, ku një numër i madh edhe i serbëve edhe i ushtarëve të KFOR-it u plagosën të gjithë e panë se ndoshta kjo ka qenë një ide e mirë atëherë, sepse ne shohim që nuk ka probleme në Mitrovicë, se kryetari erdhi në ndërtesën e komunës së Mitrovicës së Veriut, e cila funksionon në sistemin e Kosovës, komuna që funksionon në sistemin serb funksionon normalisht, kështu që nuk ka asnjë problem,” tha Nedeljkoviq.  

Milija Bishevac, udhëheqës i iniciativës civile “Za Zubin Potok”, thekson se edhe bashkësia ndërkombëtare mban një përgjegjësi të madhe për situatën aktuale në veri.  

„Bashkësia ndërkombëtare është dashur të reagojë, tani ajo tashmë ka reaguar dhe situata është pak më ndryshe, por ata duhet të kishin reaguar shumë më herët, që pikërisht të mos vijë deri tek ky përshkallëzim,“ tha Bishevac.

Pjesëmarrësit e debatit pajtohen gjithashtu se bashkësia ndërkombëtare ka mekanizma efektiv për t’i detyruar autoritetet e Kosovës që t’i përmbushin rekomandimet e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian në lidhje me depërshkallëzimin e krizës aktuale në veri të Kosovës.   

„Liberalizimi i vizave mund të shtyhet, kjo është një masë, është masë shumë racionale. Këshilli i Evropës mund të jetë gjithashtu një masë. Unë them, ka shumë mekanizma, ata e dinë se çfarë janë ato. Pyetja e vetme është nëse ata duan t’i përdorin ato,“ tha Radosavljević.

„Bashkësia ndërkombëtare, në radhë të parë Bashkimi Evropian, ka një mekanizëm fantastik, përkatësisht fondet e para-anëtarësimit, të cilat janë masa e parë që në thelb duhet të zbatohet ndaj politikanëve të papërgjegjshëm, jo ​​ndaj popullit, ndaj politikanëve të papërgjegjshëm. Nëse kjo nuk jep rezultate, sigurisht që ka masa të tjera, dhe nuk është e nevojshme të shtjellohen absolutisht secila prej tyre sot, por sigurisht që ka mekanizma sa të doni,“ tha Miodrag  Miliqeviq.  

„Një nga masat e para është financiare, pra sanksionet financiare mund të ndikojnë absolutisht në funksionimin e vetë Qeverisë. Pyetja e vetme këtu është nëse ekziston dëshira e tyre,“ tha Milija Bishevac.

„Një hap i parë që duhet të ndërmerret është heqja e atyre fondeve të para-anëtarësimit të akorduara nga Bashkimi Evropian. Ky duhet të jetë hapi i parë drejt qeverisë në Prishtinë,“ tha Dejan Nedeljkoviq.

Situata në tri komuna në veri të Kosovës, ku protestat e serbëve po vazhdojnë tash e 12 ditë, aktualisht është e qetë, por e pasigurt dhe jofunksionale për jetë, vlerësuan panelistët. 

„Njerëzit janë vërtet të frikësuar sepse nuk dinë çfarë të bëjnë më tutje. Fëmijët nuk shkojnë në shkollë, kemi edhe një sistem, si të thuash, një organ të përkohshëm që ka funksionuar deri vonë. Ka shumë njerëz që janë të punësuar atje, aty e kanë praktikisht ekzistencën e tyre, duke filluar nga kushtet elementare të jetesës, e kjo është që  librezat shëndetësore i kanë vërtetuar në ato organe të përkohshme, i cili është një kusht kur duhet të shkoni te mjeku. Po ashtu ekziston edhe një zyrë punësimi ku njerëzit aplikonin, kishin disa sigurime. Sot nuk ka një gjë të tillë, ne kemi një ndërtesë ku qëndrojnë forcat speciale dhe nuk e dimë se çfarë të presim më pas,“ tha Milija Bishevac.

“Për sa i përket gjërave ushqimore, ato janë gjithnjë e më pak, sepse nuk është fshehtësi që në shumicën e atyre dyqaneve në veri, mallrat që vijnë, vijnë përmes rrugëve alternative dhe jo siç duhet të arrijnë normalisht,” tha Nedeljkoviq.

Debatin me temën “Situata në veri të Kosovës pas zgjedhjeve lokale – sfidat dhe zgjidhjet“ e organizoi Qnedra Mediale në Çagllavicë me mbështetjen e UNMIK-ut.   

Izvor :
Medija centar Čaglavica