Përfaqësuesit e shoqatave serbe dhe shqiptare të familjeve të personave të rrëmbyer dhe të zhdukur nuk presin që Deklarata për Personat e Zhdukur, e cila është nënshkruar nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vučić dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti në Bruksel më 2 maj, do të kontribuoj në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, porse ata janë të mendimit se do të mbetet vetëm një “letër e vdekur në letër”. Në debatin “Deklarata e përbashkët e Beogradit dhe Prishtinës për personat e zhdukur – mundësitë dhe pritjet?”, e cila u mbajt në Qendrën Mediale në Çagllavicë gjithashtu u tha se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përgjegjësi më i madh për atë se nuk ka pasur takime as bashkëpunim në dy vitet e fundit kur bëhet fjalë për zbardhjen e rasteve të personave të pagjetur.
“Të gjitha këto pika të cilat tani përmenden në Deklaratë tashmë ishin pjesë e strategjisë së vitit 2010. Po e bëj një pyetje – a e vendosin ndonjëherë politikanët gishtin në kokë dhe e pyesin veten pse po stagnojnë qe 24 muaj? Asnjë mbledhje e vetme e komisioneve qeveritare nuk është mbajtur. Ne kemi dhënë shumë vërejtje se kjo ndalesë është për shkak të politikës…”, tha koordinatori i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkinaj.
“Nuk është hera e parë që diskutohet për këtë temë, që janë arritur disa konkluzione të rëndësishme e që ajo marrëveshje nuk është respektuar asnjëherë. E gjithë kjo që është nënshkruar më 2 maj tashmë ka q enë e nënshkruar dhe rënë e dakord brenda grupeve punuese, kur ai kryesonte Komitetin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe të gjitha këto pika u diskutuan dhe e gjithë kjo u nënshkrua dhe u ra dakord, por nuk është respektuar. Po të ishte në interes që të zgjidhet kjo çështje, gjë që nuk është në interes, deri më tani ka pasur shumë raste që të niset nga diçka,” tha Silvana Marinković, koordinatore e Shoqatës së Familjeve të Personave të Rrëmbyer dhe të Zhdukur në Graçanicë.
Ndonëse mendon se nuk ka asgjë të re në Deklaratë, kryetarja e Shoqatës së Familjeve të Rrëmbyerve dhe Personave të Zhdukur në Shtërpcë, Jasmina Živković, megjithatë shprehu shpresën se ajo mund të jetë hapi i parë drejt zhbllokimit të procesit të kërkimit për të zhdukurit, i cili prej dy vitesh është duke stagnuar.
“Ajo që mund të dalë e mirë nga kjo Deklaratë është se ajo mund të zhbllokojë ndalimin e moskërkimit e personave të zhdukur, sepse kemi qenë dëshmitarë që në dy vitet e fundit nuk ka pasur asnjë takim, që nuk ka përparim, nuk ka gërmime, nuk ka informata për personat e zhdukur,” thotë ajo.
Ajo gjithashtu shton se për atë që në dy vitet e fundit nuk ka pasur bashkëpunim, takime dhe punë në terren për zbardhjen e rasteve të personave të pagjetur, gjegjësisht se nuk ka komunikim ndërmjet Komisionit për Persona të Zhdukur të Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit për Persona të Zhdukur të Qeverisë së Serbisë, e me këtë as gërmime të reja për varreza të mundshme, personi më përgjegjës është Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
„Kryeministri Kurti në masë të madhe është përgjegjës kryesor kur i ndërpreu bisedimet përkitazi me çështjen e zgjidhjes së personave të zhdukur për arsye se Veljko Odalović është kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, por e di që kanë kaluar më shumë se 10 vjet dhe se ai e ka bërë punën e tij me mjaft përgjegjësi me kolegun e mëparshëm të komisionit qeveritar nga Prishtina. Kështu që, papritur Kryeministrit Kurti i pengoi fakti që në krye të atij komisioni ishte Veljko Odalović, dhe mendoj se kjo, nga njëra anë, është mjaft e papërgjegjshme. Nga ana tjetër, këto janë negociata dhe negociatorin nuk e zgjedh pala tjetër, ajo nuk mund të zgjedhë negociatorin por nëse është serioze sa i përket çështjes së zgjidhjes së saj, atëherë nuk kërkon justifikime, por punon lidhur me atë çështje,“ tha Živković.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Personave të Zhdukur po ashtu kanë deklaruar se askush as nga Beogradi e as Prishtina nuk është konsultuar me ta në lidhje me Deklaratën as para as pas miratimit të saj, edhe pse e kanë kërkuar këtë shumë herë deri më tani.
„Ne zakonisht nga mediat mësojmë për këto negociata, marrëveshje, deklarata si dhe për vetë takimet. Edhe për përmbajtjen e Deklaratës kemi mësuar nga mediat,“ thotë Jasmina Živković.
„Sa i përket konsultimit me familjet e të zhdukurve, ata nuk janë konsultuar asnjëherë me ne. Gjithçka që morëm vesh, e morëm vesh përmes mediave, megjithëse unë, por jo vetëm unë, disa familjarë kërkuam që dikush nga familja e të zhdukurve të ishte pjesë e atij ekipi negociator në mënyrë që ata të munden drejtpërdrejt aty, derisa po zhvillohen negociatat, të vënë në dukje disa gabime dhe të kërkojnë atë që ne si familje të të zhdukurve duhet të kërkojmë. Mirëpo, neve nuk na është mundësuar ta bëjmë këtë,“ tha Silvana Marinković.
„Është e vërtetë që ne kemi kërkuar të jemi pjesë e dialogut, por vetëm në pjesën sa i përket gjërave humane dhe jo politikës. Fatkeqësisht, asnjë anëtar i familjes nuk u mor për t’u intervistuar dhe informuar sepse askush nuk mund t’i kuptojë të gjitha këto më mirë se anëtarët e familjes, as për të shpjeguar ashtu siç do të bënte një pjesëtar i familjes. Kjo nuk i shkon për shtati politikës, andaj ne mbetëm të përjashtuar nga kjo,” tha Bajram Çerkinaj.
Debatin me temën “Deklarata e përbashkët e Beogradit dhe Prishtinës për personat e zhdukur – mundësitë dhe pritjet?” u organizua nga Qendra Mediale në Çagllavicë me mbështetjen e UNMIK-ut.