Ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë në Kosovë Olivier Guérot dhe Joern Rohde presin nga Qeveria e Kosovës që në afatin më të shkurtër të mundshëm të fillojë procesin e formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe. Ata në debatin me temën „Propozimi evropian për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, të cilën e ka organizuar Qendra Mediale në Çagllavicë, thanë edhe që Beogradi dhe Prishtina do të bartin pasoja nëse nuk i përmbahen obligimeve që janë dakorduar në takimin e mbajtur në Ohër më 18 mars, të cilat, para së gjithash, siç e theksuan ata, kanë të bëjnë me mbylljen e rrugës kah Bashkimi Evropian për Kosovën dhe Serbinë.
Ambasadori i Francës në Kosovë Olivier Guérot tha që pret nga Qeveria e Kosovës që të fillojë me negociatat për formimin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, siç ceket në dokumente. Guérot shtoi edhe atë se në qoftë se palët nuk i përmbahen obligimeve të cilat i kanë marr në takimin që është mbajtur në Ohër më 18 mars, ato do të bartin pasojat.
„Të dy marrëveshjet, marrëveshja e 27 shkurtit dhe marrëveshja e Ohrit më 18 mars, janë një hap i madh dhe një arritje e madhe dhe liderët ishin të suksesshëm. Përkundër faktit se nuk është nënshkruar, ne besojmë se marrëveshja është obliguese si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë dhe presim nga të dyja vendet që ta zbatojnë atë. Do të ketë pasoja nëse nuk zbatohen dhe nuk përmbushet dinamika e përcaktuar. Ne do të përpiqemi t’iu tregojmë se cilat janë pasojat. Po ashtu do të thoja se presim që Qeveria e Republikës së Kosovës të iniciojë negociatat për Bashkësinë e Komunave Serbe siç thuhet në dokumentet për të cilat është rënë dakord“, tha Guérot.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, po ashtu tha se Qeveria e Kosovës duhet t’i përmbushë obligimet e saj kur është fjala për formimin e Bashkësisë së komunave serbe.
“E kemi një marrëveshje dhe tani kemi vullnetin politik të të dy aktorëve për ta zbatuar atë. Obligim nga ana e Kosovës është Bashkësia e komunave me shumicë serbe, i cili duhet të zbatohet dhe është obligim afatgjatë i Kosovës. Nga ana tjetër duhet të njohim simbolet. Nuk ka më kundërshtime kur bëhet fjalë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Do të thotë, ne kemi nevojë për vullnet politik për t’i vënë në praktikë të gjitha këto dhe shpresojmë që takimi i javës së ardhshme do të vendos skenën për të gjitha këto“, tha Rohde.
Menaxherja e Iniciativës së Re Shoqërore, Milica Rakić Andrić, konsideron se mesazhet e dërguara nga bashkësia ndërkombëtare pas takimeve dhe marrëveshjeve në Ohër sinjalizojnë se, siç tha ajo, ndërmjetësuesit nuk janë mjaft të sigurt se marrëveshja do të zbatohet shpejt dhe lehtë. Sipas mendimit të saj, „nuk ishte e mençur që aneksi për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit të shpallej plotësisht i dakorduar“.
„Mendoj se një rrugë e mesme do të kishte qenë shumë më e mirë, ku do të thuhej se 10% e aneksit është rënë dakord në Ohër, se palët gjithashtu janë pajtuar që cilido qoftë rezultati përfundimtar i negociatave, ai do të hyjë në kornizën e negociatave të Serbisë dhe në procesin paralel që ekziston në Kosovë dhe të thonë se ne vazhdojmë të negociojmë derisa ai aneks zbatues të definohet pak më për së afërmi, sepse kam frikë se negociatorët tani janë çliruar pak nga presioni dhe do të veprojnë duke thënë, paj mos na bëni presion tani, ne kemi këtë aneks, na jepni pak hapësirë për të përgatitur opinionin tonë publik për zbatimin e marrëveshjes,“ tha Rakić Andrić.
Drejtori i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave, Lulzim Peci, tha se nuk është optimist kur bëhet fjalë për zbatimin në terren të marrëveshjes së Ohrit, për arsye se, siç tha ai, Vuçiq dhe Kurti kanë synime të kundërta dhe „ata filluan zbatimin e marrëveshjes jo me vullnet të mirë por me qëllim të keq “.
„Procesi mund të reflektohet në ngritjen e tensioneve etnike në Kosovë, sepse populli shqiptar dhe serb në Kosovë i kanë pritshmëritë e veta nga ky dialog dhe kjo marrëveshje. Dhe në qoftë se këto pritje nuk kanë një emërues të përbashkët për jetën e përbashkët në këtë vend dhe jetën paqësore në këtë vend, atëherë mendoj se në vend të progresit ka mundësi që të kthehet si bumerang dhe të shkaktojë edhe konflikte për shkak të menaxhimit joadekuat të pritjeve,“ tha Lulzim Peci.
Në debat u bë fjalë edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale në katër komuna në veri të Kosovës, ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë thanë se me mospjesëmarrjen e saj, Lista Serbe dëmet më të mëdha po ia shkakton komunitetit serb.
“Vendimi i Listës Serbe për të mos marrë pjesë në zgjedhje është për keqardhje dhe është diçka nga e cila do të humbasin qytetarët e thjeshtë. Zgjedhjet janë themeli i demokracisë dhe mënyra e vetme dhe më e mirë për të provuar përfaqësimin tuaj. Mendoj se do të kishte mirë nëse ata do të mbanin një qëndrim tjetër. Ne vetëm mund t’i inkurajojmë ata që edhe një herë të rishqyrtojnë atë qëndrim të tyre,” tha Guérot.
„Nëse nuk merrni pjesë në zgjedhje, nuk mund të ndikoni në vendimet dhe mos u ankoni. Ato u shtynë një herë, ky është shansi i dytë,“ tha Rohde.
Debatin me temën „Propozimi evropian për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” e ka organizuar Qendra Mediale në Çagllavicë me mbështetjen e UNMIK-ut.