Në emisionin e 426-të të Slobodno srpski ishte e ftuar gazetarja dhe anëtarja e Shoqatës së Familjeve të Viktimave të Kosovës, Gordana Đikanović. Në një intervistë me Budimir Ničić, ajo tha se as për pushtetin në Beograd e as për atë në Prishtinë që nga viti 1999 e deri më sot nuk ka qenë i rëndësishëm njeriu.
„Është me rëndësi edhe ngjitësi, edhe targat, edhe emri edhe nëse do të quhet kështu apo ashtu. Është e mundur që juristët këtë e shikojnë ndryshe, ne që jemi familje të të rrëmbyerve, të vrarëve, të të zhdukurve me forcë, të kidnapuarve, të marrëve me forcë, sido që të thuhet kjo – ne këtë nuk dimë ta kuptojmë,“ tha Đikanović.
Duke qenë se çështja e të pagjeturve është rikthyer në agjendën e Dialogut të Brukselit, ajo thekson që kurrë nuk është vonë për familjet që ende janë në kërkim të të afërmve të tyre të zhdukur që ata të gjenden, identifikohen, dhe të varrosen nëse konstatohet se nuk janë gjallë.
Ndonëse zgjidhja e fatit të të pagjeturve u aktualizua në mes të Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është indikative ajo se askush nuk i ka kontaktuar familjet e të zhdukurve.
„Për fat të keq, as ne, e jemi konsultuar edhe me miqtë tanë nga Prishtina me të cilët bashkëpunojmë, as ata nuk kanë asnjë informatë se për çfarë janë marrë vesh ata, a ekziston ndonjë gjë për të cilën ata janë marrë vesh e se do të nisen në drejtim të zgjidhjes së saj,“ tha Đikanović.
Edhe serbët po frigohen të dëshmojnë
Edhe pse është e mundur të raportohet në mënyrë anonime tek ICMP-ja, dëshmitarët potencial nuk guxojnë të dërgojnë informata të rëndësishme për të zhdukurit edhe nëse i posedojnë ato, sepse nuk është gjetur asnjë mekanizëm efektiv i mbrojtjes së tyre.
„Unë mendoj se ka të bëj vetëm me frikën. Shumica e tyre ende i kanë familjet ose pjesë të familjes që jetojnë këtu dhe në fund edhe përvoja na shpie atje nga koha e gjykimit të zotit Haradinaj, dhe kjo është thjesht diçka që është gdhendur në ndërgjegjen e njerëzve. Asnjë prej tyre nuk e ka, këtë e di nga tregimet e besueshme të disa anëtarëve të shoqatave tona të cilët fillimisht ishin në disponim të mirë dhe shkuan në ato bisedime dhe kur dëgjuan se çfarë lloj garancish po iu ofroheshin, në fakt se si nuk u ofrohet asgjë përveç se do të jenë vetëm persona N.N., me atë që edhe ne e dimë që informatat rrjedhin, ose herë pas here rrjedhin,“ tha Đikanović.
Kjo vlen edhe për serbët si dëshmitarë potencialë nga frika se nuk do të marrin garanci për veten dhe familjen e tyre se do të marrin një identitet të ri, se do të jenë në një vend të tretë apo ngjashëm me këtë.
Përballja me të kaluarën është e domosdoshme për normalizimin
Duke komentuar stereotipet dhe qëndrimet negative ndaj komuniteteve tjera etnike kombëtare, gjë e cila veçanërisht po vërehet tek të rinjtë, Đikanović konsideron se ballafaqimi me të kaluarën është vendimtar për normalizimin e marrëdhënieve.
„Të rinjtë, edhe shqiptarët edhe serbët, duhet ta dinë se janë kryer krime, nuk po them ku ka pasur më shumë, ku ka më pak, por ato janë kryer edhe nga pala e parë edhe ajo e dytë. Ata rriten dhe bëhen njerëz që dinë vetëm një të vërtetë dhe e mësojnë atë përmes teksteve shkollore, tani po flas për të rinjtë në Serbi dhe të rinjtë në Kosovë. Nëse këta brezat tanë që, thënë në gjuhën popullore, ua kanë përgatitur të gjitha këto, nëse ua lëmë atyre këtë barrë që ta zgjidhin, nuk besoj se ata do ta zgjidhin ndonjëherë,“ tha Gordana Đikanović si mysafire në emisionin Slobodno srpski.