|

Hashim Thaçi u lind më 24.04.1968 në Burojë – komuna e Skënderajt në Kosovë. Thaçi është në pozitën e Kryeministrit që nga 9 janari 2008. Në periudhën 03/1999 – 01/2000 ka qenë Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Në jetën politike kryesisht është angazhuar në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës gjatë viteve 1983 – 1993 - NPK. Në vitin 1997 u dënua në mungesë nga ana e gjyqit, së bashku me një grup pjesëtarësh të UÇK-së në krye me Adem Jasharin, me shumë vite burg. Në universitetin e Cyrihut (1996) vijoi studimet postdiplomike në drejtimin e historisë për Evropën juglindore dhe shkencave politike deri në fillim të vitit 1998. Gjatë qëndrimit në perëndim shpesh ka ardhur ilegalisht në Kosovë për të forcuar formacionet e UÇK-së në teren. Pas luftës si Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës udhëhoqi negociatat me faktorin ndërkombëtar dhe është nënshkrues i Marrëveshjes për transformimin e UÇK-së në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Në fillim të punës së Këshillit të Përkohshëm Administrativ - KPA, si strukturë e përbashkët udhëheqëse me misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK), ka qenë anëtarë i këtij këshilli nga janari i vitit 2000 deri në zgjedhjet e para parlamentare të vitit 2001. Në tetor të vitit 1999 formoi Partinë për Progres Demokratik të Kosovës – PPDK, kurse në Kuvendin e parë zgjedhor (2000) Hashim Thaqi u zgjodh për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës – PDK. Thaçi u zgjodh përsëri për kryetar të PDK-së në kuverndin e dytë dhe të tretë në vitin 2002 dhe 2005. Në tri përbërje të Kuvendit të Kosovës u zgjodh për deputet.
Në shtypin vendor, regjional dhe atë ndërkombëtar botoi shumë shkrime dhe artikuj.
Në fakultetin filozofik të universitetit të Prishtinës i kreu studimet në drejtimin e historisë.
Është i martuar me Lumnijen dhe ka një djalë.
|