|
Oliver Ivanoviq u lind më 1 prill 1953 në fshatin Raniq afër Deçanit. Jeton në Mitrovicën e Kosovës. Shkollën fillore dhe mesme drejtimi teknik-makineri e kreu në Mitrovicë. Studimet në Akademinë Ushtarake në Zagreb i ndërpreu pas tri viteve. Pas kësaj e kreu fakultetin e makinerisë në Mitrovicë dhe u bë absolvent në fakultetin ekonomik në Prishtinë. Është sekretar në Ministrinë për Kosovë dhe Metohi në Qeverinë e Serbisë. Me politikë filloi të merret në qershor 1999 kur u zgjodh kryetar i KE të Këshillit Nacional Serb (SNV) të veriut të Kosovës. Ka qenë kryetar i SNV-së deri sa u shkarkua më 6 qershor 2001, dhe kryetar i Këshillit komunal të SNV-së në Mitrovicë deri në fund të tetorit të atij viti. Për anëtar të Qendrës Koordinuese për Kosovë u zgjodh më 2 gusht 2001. Në zgjedhjet parlamentare të organizuara nga bashkësia ndërkombëtare në nëntor 2001 u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës, kurse si anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës u zgjodh më 2 dhjetor. Ka qenë bartës i listës serbe për Kosovë dhe Metohi në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovës në tetor 2004. Ka qenë anëtar i Partisë Socialdemokrate (SDP) të Nebojsha Çoviqit. Ivanoviq është bartës i shiritit të zi – shkalla e katërt në karate, kurse ka qenë edhe gjyqtarë ndërkombëtarë i karatesë. Flet anglisht, shqip dhe italisht. Është i martuar dhe ka tre djem.
|